TV LIVE
Kuriozitete
28 August 2026
“Rrnoi vetëm për me tregue” - Përkujtohet At Zef Pllumi, simboli i qëndresës dhe kujtesës

At Zef Pllumi (1924-2007) përkujtohet sot në 102-vjetorin e lindjes si figurë që mbetet simbol i rezistencës shpirtërore dhe i dinjitetit njerëzor në Shqipëri.

Muzeu Historik Kombëtar solli në këtë ditë disa nga momentet kryesore që përcaktuan jetën dhe veprimtarinë e At Zef Pllumit si një zë që nuk heshti, një mendje që nuk u thye dhe një shpirt që “rrnoi vetëm për me tregue”.

Më 28 gusht 1924, në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin, lindi kleriku françeskan dhe shkrimtari At Zef Pllumi.

I ndikuar nga At Anton Harapi dhe i formuar në mjedisin kulturor të revistës “Hylli i Dritës”, At Zef Pllumi zhvilloi që herët pasionin për dijen, kulturën dhe letërsinë.

“Rrnoi vetëm për me tregue” - Përkujtohet At Zef

Rrugëtimi i tij shpirtëror u ndërpre dhunshëm nga regjimi komunist. Më 14 dhjetor 1946, në moshën 22 vjeçare, u arrestua për herë të parë dhe u dënua me tre vjet burg, të cilat i vuajti në “Burgun e Madh” të Shkodrës dhe në kampet e Bedenit në Myzeqe e të Orman-Pojanit në Maliq të Korçës.

Pas lirimit u kthye në Kuvendin Françeskan. Në vitin 1956, pas shugurimit si meshtar në Dukagjin, ai u arrestua sërish më 1967. Në total, ai kaloi 26 vjet në burgje dhe kampe internimi, ndër të tjera në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll dhe Tiranë. U lirua më 1989.

“Rrnoi vetëm për me tregue” - Përkujtohet At Zef

Pas rënies së regjimit komunist, ai iu rikthye veprimtarisë letrare dhe publicistike. Nga viti 1993 deri më 1997 rinxori revistën “Hylli i Dritës”. Vepra e tij më e njohur, trilogjia “Rrno vetëm për me tregue”, është një dëshmi e fuqishme njerëzore dhe historike mbi përndjekjen, vuajtjet dhe qëndresën gjatë diktaturës komuniste.

Në vitin 2006, Presidenti i Republikës e dekoroi me urdhrin “Nderi i Kombit”. Po atë vit, Ministria e Kulturës e nderoi me çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”.

At Zef Pllumi u nda nga jeta më 25 shtator 2007 dhe u varros në Shkodër.



Të ndryshme
Më shumë