TV LIVE
Nga Vendi
29 August 2026
BDI: Zëvendësministri kukull i policisë po gënjen 105 kandidatë shqiptarë kanë aplikuar në shkollën për polic

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhe koalicionin VLEN se po përpiqen ta arsyetojnë me të dhëna të pavërteta numrin e ulët të shqiptarëve të pranuar në shkollën e mesme të policisë.

Sipas BDI-së, listat e kandidatëve tregojnë se 105 shqiptarë kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet për pranim, por megjithatë janë lënë jashtë procesit.

“Të dhënat dhe listat e kandidatëve e demaskojnë publikisht pretendimin e Astrit Isenit dhe VLEN-it se shqiptarët nuk kanë pasur interesim apo nuk kanë konkurruar”, thuhet në reagim.

Nga partia opozitare pretendojnë se nga gjithsej 310 kandidatë të pranuar, vetëm një numër minimal janë shqiptarë. Sipas tyre, Iseni ka dalë publikisht në mbrojtje të këtij vendimi, duke deklaruar se shqiptarët nuk kanë aplikuar ose nuk kanë shfaqur interesim të mjaftueshëm.

BDI vlerëson se këto pretendime nuk përputhen me listat e kandidatëve që kanë aplikuar dhe i kanë përmbushur kriteret. Partia e Ali Ahmetit cilëson vendimin si të dëmshëm për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Në reagimin e saj, BDI përdor tone të ashpra ndaj zëvendësministrit Iseni, të cilin e quan “zëvendësministër kukull” dhe e akuzon se, në vend që të kërkojë përgjegjësi për mospranimin e kandidatëve shqiptarë, po mbron vendimin përmes, siç thotë partia, dezinformatave.

BDI kërkon sqarim nga Ministria e Punëve të Brendshme se përse 105 kandidatët shqiptarë, të cilët sipas saj i kanë plotësuar kushtet, nuk janë pranuar dhe përse përfaqësimi i shqiptarëve në mesin e 310 kandidatëve të përzgjedhur është kaq i ulët.

“Shqiptarët nuk po përjashtohen sepse nuk konkurrojnë; shqiptarët po përjashtohen dhe më pas përjashtimi i tyre po mbrohet me gënjeshtra”, përfundon reagimi i BDI-së.



Të ndryshme
Më shumë