TV LIVE
Nga Vendi
29 August 2026
QMK raporton 31 zjarre brenda 24 orësh, pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) bëri të ditur se nga 28 gushti deri më 29 gusht, në orën 07:30, në Maqedoninë e Veriut janë evidentuar 31 zjarre në hapësira të hapura.

Bilanci i situatës tregon se 25 vatra janë shuar, pesë vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa një zjarr është vënë nën kontroll.

Gjendja më e rëndë paraqitet në territorin e komunave të Studeniçanit dhe Zelenikovës. Atje flakët kanë përfshirë pyll të përzier në zonën Moranë–Vërtekicë–Ramni Gaber, me një degëzim drejt Paligradit dhe në drejtim të Presllapit.

Një tjetër vatër aktive ndodhet pranë Kopanicës, në Komunën e Sarajit, prej nga zjarri po lëviz drejt Radushës, duke djegur bimësi të ulët dhe sipërfaqe pyjore.

Vatra aktive janë raportuar gjithashtu mbi fshatin Nezhilovë, në Komunën e Çashkës, pranë Kopancës në Komunën e Jegunovcës, si dhe në zonën e fshatit Cërnilishtë, në Komunën e Prilepit.

Zjarri i nisur pranë Tërnovës, në Komunën e Gostivarit, është futur nën kontroll. Ai ishte përhapur drejt Bitovës, Zagradit dhe Strajanës, në territorin e Komunës së Makedonski Brodit.

Gjatë 24 orëve të fundit, ekipet kanë shuar zjarre në disa komuna, mes tyre Strumica, Ohri, Prilepi, Shtipi, Tetova, Gostivari, Dellçeva dhe Berova.

QMK-ja vijon monitorimin e situatës në terren dhe u kërkon qytetarëve të tregojnë kujdes të veçantë, pasi mbetet i pranishëm rreziku i krijimit dhe përhapjes së zjarreve në hapësira të hapura.



Të ndryshme
Më shumë