TV LIVE
Nga Rajoni
31 August 2026
PDK dhe AAK vijojnë aksionin politik para qeverisë, protestës iu bashkuan përfaqësues të komunave Istog dhe Skënderaj

“Mesazhi ynë për deputetin Albin Kurti është i qartë: Hiq dorë nga bllokada, mos e mbaj vendin në krizë për interesa politike”. Me këto thirrje deputetët e PDK-së dhe Aleancës, të cilëve këtë të hënë iu bashkuan edhe përfaqësues e aktivistë të komunave Istog dhe Skënderaj vijuan aksionin para godinës së Qeverisë.

“Kjo kauzë më nuk është vetëm e përfaqësuesve në Kuvendin e Kosovës, por është edhe e të gjithë qytetarëve të vendit, sepse aty ku cenohet shteti, ku cenohet Kushtetuta, cenohet edhe interesi më i madh i qytetarëve, sepse aty merren edhe përgjegjësitë kryesore për t’i zgjidhur problemet e vendit”, tha Mërgim Lushtaku, Deputet i PDK-së.

“…e ftoj edhe njëherë Albin Kurtin që të mos bëjë hajgare me besimin e qytetarëve të cilët ia kanë dhënë me 53 deputetë, të vijë në Kuvend, të krijojë institucionet dhe të vazhdojmë me punët”, tha Albana Bytyçi, deputete e AAK-së.

“…shfrytëzoj rastin në emër të Komunës së Skenderajt t’i bëj thirrje mazhorancës që të reflektojë dhe të marrë përgjegjësinë në atë që ia kanë dhënë qytetarët, të themelojnë institucionet e shtetit dhe të ecim përpara”, Fadil Nura, Kryetar i Komunës së Skenderajt.

“Unë vij nga Istogu dhe një brengë e cila na preokupon të gjithëve, ku e dimë që komunat janë buzë kolapsit bazuar në vendimet të cilat e marrin buxhetet komunale dhe projektet kapitale të cilat kanë qenë të planifikuara tashmë janë të dëmtuara dhe nuk kanë mundësi të realizohen ato projekte”, tha Ali Nimanaj, Përfaqësues i PDK-së në Istog.

Kjo është java e katërt që deputetët, të cilët në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, mblidhen para selisë së qeverisë dhe në Kuvend duke i bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të vijojë me krijimin e institucioneve dhe më pas me zgjedhjen e presidentit.

/rtsh.al/



Të ndryshme
Më shumë