TV LIVE
Nga Bota
9 September 2026
Përplasje Britani-Izrael, Londra sanksionon kolonët në Bregun Perëndimor, Tel Avivi do të mbyllë konsullatën

Britania e Madhe vendosi të kalojë nga fjalët tek veprimet konkrete dhe njoftoi masa të ashpra ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, duke paralajmëruar ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në këto zona.

Ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, tha në Dhomën e Ulët të Parlamentit se vendbanimet izraelite në territorin palestinez, Londra i konsideron në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Sipas Miliband, masat nuk do të kufizohen vetëm te tregtia. Sanksione do të vendosen edhe ndaj individëve dhe subjekteve që mbështesin ose financojnë ndërtimin e vendbanimeve të reja. Ndalimi i importeve pritet të hyjë në fuqi brenda gjashtë deri në nëntë muajve.

Qeveria jonë i ka peshuar kostot e marrjes së këtyre masave, por ne nuk mund të qëndrojmë mënjanë thjesht sepse kemi frikë nga reagimi izraelit. Shumë njerëz në Britani janë prekur thellësisht nga vuajtjet e popullit palestinez dhe kërkojnë që ekzekutivi të reagojë ndaj asaj që po ndodh”, shprehet Ed Miliband, ministër i jashtëm i Britanisë së Madhe.

Miliband pohoi se, sipas dëshmive që ka marrë nga njerëzit në terren në Bregun Perëndimor, palestinezët po “frikësohen, ngacmohen dhe kërcënohen për t’u larguar nga shtëpitë e tyre nga këta kolonë terroristë”. Ai shtoi se druhet që qeveria izraelite po “mbyll sytë” përballë zhvendosjes së detyruar të palestinezëve. Është e drejtë që kjo situatë të denoncohet publikisht, tha shefi i diplomacisë britanike; Londra nuk mund të qëndronte “e heshtur apo pasive”, ishte mesazhi i tij. Presidenti izraelit, Isaac Herzog, e kritikoi ashpër vendimin britanik, duke e cilësuar atë si një “gabim të rëndë vlerësimi”. Herzog e akuzoi gjithashtu Londrën për ndërhyrje në politikën e brendshme izraelite, në një kohë kur vendi po i afrohet zgjedhjeve të ardhshme.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, njoftoi se Izraeli do të mbyllë konsullatën britanike në Jerusalem, e përpos kësaj, Izraeli ka vendosur ndalim hyrjeje në vend për 12 politikanë dhe aktivistë britanikë, mes tyre edhe ish-kreun e Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn.



Të ndryshme
Më shumë