Rezultatet e PISA 2025 e rendisin Maqedoninë e Veriut ndër vendet me rezultatet më të dobëta në Evropë, edhe në krahasim me rajonin.
Rreth 74 për qind e nxënësve 15-vjeçarë në Maqedoninë e Veriut nuk arrijnë nivelin bazë të aftësive në lexim, ndërsa vetëm 32 për qind arrijnë nivelin minimal në matematikë dhe 36 për qind në shkencat natyrore.
Sipas rezultateve të PISA 2025, nxënësit nga vendi kanë marrë mesatarisht 380 pikë në matematikë, 357 në lexim dhe 378 në shkencat natyrore, duke mbetur dukshëm nën mesataren e OECD-së.
Vetëm 26 për qind arrijnë nivelin bazë në lexim
Rezultati më shqetësues është ai në lexim. Vetëm 26 për qind e nxënësve arrijnë të paktën nivelin 2, që konsiderohet niveli bazë i funksionalitetit në lexim.
Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e nxënësve kanë vështirësi të identifikojnë idenë kryesore të një teksti, të gjejnë informacionin sipas kritereve të caktuara dhe të kuptojnë domethënien e asaj që lexojnë.
Për krahasim, në vendet e OECD-së këtë nivel e arrijnë rreth 69 për qind e nxënësve.
Edhe në matematikë situata është shqetësuese. Vetëm 32 për qind arrijnë nivelin bazë, ndërsa në shkencat natyrore 36 për qind. Në nivelet më të larta të matematikës, 5 dhe 6, arrin vetëm rreth 1 për qind e nxënësve në vend, krahasuar me 8 për qind në OECD.
Maqedonia e Veriut mbetet pas rajonit
Rezultatet e reja tregojnë se vendi renditet pas Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë, ndërsa është përpara Kosovës.
Në matematikë, rezultati i Maqedonisë së Veriut ka rënë krahasuar me PISA 2022, kur nxënësit kishin marrë 389 pikë. Në lexim dhe shkencat natyrore rezultatet kanë mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.
Ndërkohë, diferenca mes nxënësve me rezultatet më të larta dhe atyre me rezultatet më të dobëta është rritur në të tria fushat.
Në krye të renditjes botërore vazhdojnë të jenë Singapori, rajonet kineze, Tajvani, Japonia dhe Koreja e Jugut, ndërsa Estonia mbetet ndër sistemet më të suksesshme arsimore në Evropë.
Ekranet dhe inteligjenca artificiale ndryshojnë mënyrën e të mësuarit
PISA 2025 vë në pah edhe një problem tjetër: mënyrën se si teknologjia po ndikon te nxënësit.
OECD vëren se nxënësit po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë para ekraneve, po lexojnë përmbajtje më të shkurtra dhe shpesh i “skanojnë” tekstet në vend që t’i lexojnë dhe kuptojnë me kujdes.
Në të njëjtën kohë, përdorimi i inteligjencës artificiale është bërë pjesë e mësimit. Gati gjysma e nxënësve përdorin chatbotë me AI për qëllime arsimore.
Megjithatë, OECD paralajmëron se përdorimi pasiv i AI-së për shkrim, përmbledhje dhe kërkim lidhet me rezultate më të dobëta. Nxënësit që mbështeten intensivisht në chatbotë në këtë mënyrë kanë marrë rreth 20 pikë më pak në shkencat natyrore, diferencë që përafërsisht korrespondon me një vit shkollimi.
Sipas OECD-së, problemi nuk është vetë teknologjia, por mënyra se si përdoret.
Rezultatet e PISA 2025 tregojnë kështu një sfidë serioze për arsimin në Maqedoninë e Veriut: dobësitë në njohuritë bazë shoqërohen me nevojën për një qasje të re ndaj teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në procesin mësimor.