TV Uskana sot vizitoi fshatin malor të Baçishtit, ku në qendër të fshatit takuam disa prej banorëve, të cilët na mirëpritën ngrohtësisht dhe ndanë me ne shqetësimet e tyre për jetën e përditshme.
Banorët flasin për kushte jo të mira infrastrukturore, veçanërisht për mungesën e kanalizimit dhe mosgrumbullimin e rregullt të mbeturinave nga ana e NP „Komunalec“.
Edhe Baçishti, ashtu si shumë fshatra të tjera, është prekur nga largimi i të rinjve, duke bërë që numri i banorëve të jetë gjithnjë e më i vogël dhe jeta në fshat të përballet me sfida të reja.
Por Baçishti nuk është vetëm një fshat me probleme të përditshme. Banorët me nostalgji kujtojnë edhe periudha të vështira të së kaluarës, sakrificat dhe rezistencën për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, si dhe përpjekjet e shumta për hapjen dhe më pas ruajtjen e shkollës në gjuhën shqipe.