TV LIVE
ShowBiz
11 September 2026
Fustani ikonik i Princeshë Dianës del në ankand! Veshja pritet të shitet deri në 300 mijë dollarë

Një prej veshjeve më ikonike të Princeshë Dianës do të dalë sërish në ankand, gati tre dekada pas shitjes së saj të fundit.

Fustani i zi i mëndafshtë, i dizenjuar nga Christina Stambolian dhe i njohur në mbarë botën si “fustani i hakmarrjes”, do të ofrohet për shitje nga Sotheby’s në New York më 9 dhjetor. Vlera e tij parashikohet të jetë nga 150 mijë deri në 300 mijë dollarë.

Veshja mori famë të jashtëzakonshme më 29 qershor 1994, kur Diana u shfaq me të në një mbrëmje bamirësie në Serpentine Gallery në Londër. Në të njëjtën mbrëmje, bashkëshorti i saj i atëhershëm, Princi Charles, pranoi publikisht në një intervistë televizive se kishte qenë i pabesë gjatë martesës së tyre.

Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep Watching

Diana u shfaq me një fustan të zi të ngushtë, me shpatullat e zbuluara dhe një dekolte të theksuar, duke thyer dukshëm stilin më konservator që kishte karakterizuar paraqitjet e saj të mëparshme. Fotot e saj atë mbrëmje u bënë ikonike dhe veshja u pagëzua më vonë si “Revenge Dress”.

Sipas ekspertëve të modës, rëndësia e fustanit shkon përtej vlerës së tij materiale. Ai është kthyer në një prej simboleve më të njohura të mënyrës se si Diana përdori modën për të përcjellë një mesazh dhe për të rimarrë kontrollin mbi imazhin e saj publik.

Fustani ishte shitur edhe më parë, në vitin 1997, kur Diana nxori në ankand 79 veshje të saj për të mbledhur fonde për organizata që mbështesnin luftën kundër kancerit dhe AIDS-it. Veshja e Stambolian ishte ndër ato që u shitën dhe që prej atëherë ka qëndruar në pronësi private.

Përpara ankandit të dhjetorit, “fustani i hakmarrjes” do të ekspozohet në disa qytete. Fillimisht do të prezantohet në Londër nga 18 deri më 24 shtator, më pas në Hong Kong nga 1 deri më 15 tetor dhe në Gjenevë nga 6 deri më 11 nëntor. Në New York do të ekspozohet nga 2 deri më 8 dhjetor, përpara ankandit të 9 dhjetorit.

Një pjesë e të ardhurave nga shitja do t’i dhurohet NHS Lothian Charity në mbështetje të Royal Edinburgh Hospital.

Ankandi vjen pothuajse 30 vjet pas shitjes së parë të fustanit dhe rikthen në vëmendje një prej momenteve më të famshme të Princeshë Dianës, ku moda u shndërrua në një deklaratë publike.



Të ndryshme
Më shumë