Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore po përgatitet për një tjetër udhëtim artistik, këtë herë drejt Italisë, ku do të prezantojë traditën shqiptare përmes këngës, valles, kostumeve popullore dhe ritmeve që përcjellin identitetin kulturor të vendit.
Turneu do të jetë një mundësi e veçantë për shqiptarët që jetojnë në Itali, duke sjellë më pranë tyre atmosferën dhe emocionet e vendlindjes. Përtej një serie shfaqjesh artistike, ky rrugëtim synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë me kujtesën, rrënjët dhe traditat shqiptare.
Ansambli do të ndalet në katër qytete italiane, me një kalendar të përcaktuar:
19 shtator – Brescia
20 shtator – Torino
21 shtator – Pordenone
22 shtator – Rovereto
Katër mbrëmje do t’i kushtohen kulturës shqiptare në zemër të Italisë, me këngë, valle dhe kostume tradicionale.
Për shqiptarët e diasporës, ky turne vjen si një ftesë për t’u mbledhur së bashku dhe për të festuar shqip, larg vendit, por pranë kulturës dhe traditës që i bashkon.