Edhe në mes të shtatorit, monumentet e trashëgimisë kulturore në vend vijojnë të jenë pjesë e itinerareve të vizitorëve vendas dhe të huaj.
Mes tyre, Kalaja e Lezhës mbetet një nga pikat më të vizituara të qytetit, duke ofruar një kombinim të historisë, arkeologjisë dhe peizazhit.
Në Kalanë e Lezhës, numri i vizitorëve për periudhën nga muaji janar e deri më sot, është 5884 vizitorë. Pjesa më e madhe e tyre vijnë nga Evropa Perëndimore, ku kryesojnë shtetas anglezë, francezë e gjermanë.
Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep Watching
Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, vizitorë të shumtë mbërrijnë çdo ditë në kala, ku gjurmët e periudhave të ndryshme historike ndërthuren me panoramën e qytetit dhe të Adriatikut.
Kalaja ngrihet mbi kodrën e qytetit të Lezhës, në një pozicion strategjik që ka pasur rëndësi të veçantë ndër shekuj. Historia e saj lidhet me periudha të ndryshme, nga antikiteti deri në Mesjetë dhe periudhën osmane.
Zona e kalasë ndodhet mbi Akrolisin e lashtë, qytetin antik që lidhej me zhvillimin e hershëm të Lezhës. Muret dhe gjurmët arkeologjike dëshmojnë për ndryshimet që ka pësuar fortifikimi në periudha të ndryshme. Në hapësirën e kalasë dhe rreth saj ruhen gjurmë të ndërhyrjeve dhe rindërtimeve të ndryshme, duke e bërë monumentin një dëshmi të drejtpërdrejtë të historisë së gjatë të qytetit.
Përtej vlerave historike dhe arkeologjike, Kalaja e Lezhës tërheq vizitorët edhe për panoramën që ofron mbi qytetin, fushën e Zadrimës dhe drejt Adriatikut. Ky kombinim i trashëgimisë dhe peizazhit e kthen vizitën në kala në një përvojë ku historia ndërthuret me natyrën. A.K./TemA