Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka vizituar sot Komunën e Kërçovës, ku është takuar me kryetarin e Komunës, Aleksandar Jovanovski.
Gjatë vizitës, Gashi dhe Jovanovski morën pjesë në hapjen e zyrës së deputetit në qytetin e Kërçovës. Sipas Gashit, kjo zyrë do të jetë një adresë ku qytetarët do të mund t’i paraqesin problemet dhe kërkesat e tyre te përfaqësuesit e tyre në Kuvend.
Deputetja Valbona Adili-Emini tha se zyra do të shërbejë si urë lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, duke krijuar mundësi që çështjet e qytetarëve të adresohen më drejtpërdrejt te institucionet kompetente.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, theksoi se kjo zyrë do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të kontribuojë në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të tyre.
Hapja e zyrës synon të afrojë më shumë të zgjedhurit me qytetarët dhe të lehtësojë komunikimin e tyre me institucionet shtetërore.