Shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” kërkon veprim urgjent institucional, hetim të plotë dhe përcaktimin e përgjegjësisë lidhur me videon e publikuar në YouTube, me titull “Gjueti e dhive të egra të nivelit botëror në malet e Maqedonisë”, ku shihet se si shtetas të huaj gjuajnë dhi të egra në “Mavrovë” dhe pinë gjakun e kafshëve të vrara, transmeton Portalb.mk.
Nga “Anima Mundi” dënojnë ashpër trajtimin e kafshëve të egra në Parkun Kombëtar “Mavrovë” dhe kërkojnë që institucionet të përcaktojnë se kush e ka lejuar dhe mundësuar një veprim të tillë, si dhe kush ka qenë përgjegjës për kontrollin.
“Kjo nuk është kurrfarë sporti, nuk është aventurë dhe aq më pak dashuri për natyrën. Nuk ka asgjë normale në vrasjen e një kafshe të egër për argëtim, trofe apo interes komercial”, thuhet në njoftimin e Shoqatës.
“Anima Mundi” i mbështet organizatën qytetare “Eko-Svest” dhe organizatat e tjera ekologjike, të cilat i kanë bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit që urgjentisht ta përfundojnë procedurën për rishpalljen e parkut, ndërsa ndërkohë të vendosin moratorium për të gjitha aktivitetet.
“Parqet kombëtare nuk duhet të shndërrohen në terrene gjuetie, ndërsa kafshët e mbrojtura të ndiqen dhe të vriten. Maqedonia nuk është park gjuetie për të huaj të pasur devijantë. ‘Mavrova’ nuk është trofe i askujt. Kafshët e egra nuk janë pre. Natyra nuk është në shitje”, shtojnë nga atje.
Ndryshe, videon e ka publikuar agjencia e lajmeve “Meta”, së bashku me reagimin e organizatës qytetare “Eko-Svest”, nga ku kanë theksuar vakumin ligjor në të cilin ndodhet “Mavrova”.
Lidhur me videon dhe gjuetinë e dhive të egra, drejtori i Parkut Kombëtar “Mavrovë”, Haris Ibraimi, në një deklaratë për „360 Stepeni“ thotë se bëhet fjalë për asgjësim sanitar të kafshëve të egra për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.
Asgjësimi, thotë ai, është pjesë e Programit për masat e menaxhimit të faunës së egër, i cili miratohet nga Ministritë e Mjedisit dhe të Bujqësisë dhe ka të bëjë me monitorimin e gjendjes shëndetësore të kafshëve të egra në park.
“Kur marrim pëlqim për asgjësimin e një numri të caktuar të kafshëve të egra, fillojmë procesin. Këtë e publikojmë dhe aplikojnë shoqata gjuetie nga vendi ose nga jashtë. Nëse të huajt shprehin interes, u dërgojmë ftesë. Kur kryhet asgjësimi, lëvizja për këtë qëllim nëpër parkun kombëtar bëhet detyrimisht në praninë tonë“, thotë ai.
Gjuetarët në video, siç shtoi ai, janë nga një shoqatë gjuetie spanjolle.
Mostrat e kafshëve të egra, siç thotë drejtori, dërgohen për analiza në institutet veterinare.