TV LIVE
Nga Vendi
22 September 2026
Mickoski në samitin “Concordia” në Nju Jork: Maqedonia mbetet në rrugën evropiane, mbrojmë identitetin dhe interesat shtetërore

Kryeministri Hristijan Mickoski të hënën iu drejtua Samitit “Concordia” në Nju Jork, i cili mbahet paralelisht me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përcjell TV21. Në një panel me zëvendëskryeministren e Gjeorgjisë, Maka Boçorişvilin, kryeministri Mickoski foli për pengesat në procesin e integrimit evropian dhe përpjekjet e vendeve anëtare të BE-së për ta përdorur këtë proces për ndryshimin e identitetit maqedonas. Sipas kryeministrit, nga Brukseli dëgjohen edhe mesazhe pozitive.

“Ne e nisëm rrugëtimin tonë para pothuajse dy dekadash e gjysmë. Dhe, për fat të keq, për shkak të disa arsyeve artificiale, nuk arritëm të bëhemi pjesë e BE-së. Ndoshta një ditë do ta arrijmë këtë pikë referimi. Ndërkohë, frustrimi te qytetarët maqedonas është i madh, sepse në të kaluarën kemi bërë shumë lëshime: e ndryshuam flamurin, Kushtetutën e ndryshuam disa herë, madje e ndryshuam edhe emrin kushtetues, dhe e gjithë kjo na duket si një histori pa fund. Por, sidoqoftë, ne besojmë në vlerat evropiane dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim, për të gjetur më në fund një zgjidhje nga kjo situatë e bllokuar në të cilën ndodhemi tani. Është e qartë se duhet të presim, por jo vetëm që presim, por edhe bëjmë diçka”, tha Mickoski dhe shtoi:

“Ne po ndërtohemi dhe po zhvillohemi. Për ne, për gjeneratën time, negociatat me BE-në ishin një lloj mënyre për të ndryshuar institucionet – jo për të ndryshuar identitetin. Për fat të keq, ka disa vende anëtare që përpiqen të zgjidhin disa çështje dypalëshe dhe jo t’i ndryshojnë institucionet tona, por ta ndryshojnë identitetin tonë. Dhe ne jemi viktimë e një lloj maltretimi: ose jeni brenda ose jashtë, ndërsa nëse dëshironi të jeni brenda, duhet ta përpini atë që kërkojmë nga ju. Por kjo është mundësia dhe nuk ka mundësi më të mirë për vendin tim. Dhe meqë nuk ka mundësi më të mirë, jemi të gatshëm të ecim përpara dhe të gjejmë një rrugëdalje nga kjo situatë.”

I pyetur nëse megjithatë ka edhe mesazhe pozitive nga Brukseli, kryeministri Mickoski tha se mesazhet nga samiti i BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tivat ishin jashtëzakonisht pozitive.

“Pati një prezantim të përbashkët nga Franca dhe Gjermania për një dokument që është joformal. Nga Brukseli dëgjojmë se ndoshta në konkluzionet e ardhshme të Këshillit, ky dokument mund të bëhet diçka që do të jetë politikë zyrtare e BE-së. Do të shohim. Ndërkohë, ne e kemi harmonizuar plotësisht politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë me BE-në. Legjislacioni ynë është pak a shumë i harmonizuar me atë të BE-së. Ne jo vetëm që presim, por punojmë për zhvillimin tonë, po e përfundojmë detyrën tonë të shtëpisë, nuk po e humbim kohën, përkundrazi – ky është themeli ynë strategjik dhe do të qëndrojmë në këtë rrugë përpara”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Përveç marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, kryeministri Mickoski foli edhe për partneritetin strategjik me SHBA-në dhe deklaroi se dëshiron që vendi të jetë shembull për praninë amerikane në rajon dhe në Evropë. Fjalimi i kryeministrit Mickoski pasoi takimet e tij me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit.

“Në fillim të vitit patëm një seancë të dialogut strategjik mes dy vendeve dhe nënshkruam shumë marrëveshje, shumë memorandume mirëkuptimi. E rritëm nivelin e bashkëpunimit – në industrinë ushtarake, në energjetikë, në nxjerrjen e një minerali kritik – antimonit – me ndihmën e agjencisë amerikane DFC. Mendoj se marrëdhëniet mes dy vendeve po thellohen gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës. Duke pasur parasysh memorien institucionale, në Kombet e Bashkuara votojmë krah për krah me aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj dëshirojmë të jemi – dhe ambicia jonë është të bëhemi – shembull për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E mirëpresim praninë amerikane në rajon. Le të jetë vendi im shembull për rajonin dhe Evropën në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Mickoski.

Në kuadër të bashkëpunimit me SHBA-në dhe NATO-n, kryeministri Mickoski prezantoi edhe projektet strategjike infrastrukturore në të cilat po punon Maqedonia.

“Në fillim të vitit e rikthyem në funksion naftësjellësin që lidh portin e Selanikut me rafinerinë tonë të naftës, kështu që tani i përmbushim nevojat tona, por edhe eksportojmë në rajon. Çmimet tona për naftën dhe karburantet pa plumb janë mjaft konkurruese, 50 centë euro për litër më të lira se në vendet fqinje, dhe tani praktikisht kemi presion nga vendet fqinje mbi pikat tona të karburantit. Vëllimi i konsumit tonë të karburantit është rritur për 50 për qind që nga fillimi i krizës në Iran. Siguria e furnizimit nuk është më problem – edhe pse jetojmë në kohë sfiduese. Po ndërtojmë një gazsjellës që lidh portin e Aleksandrupolit me Evropën Qendrore, me çka praktikisht do të bëheshim vend tranzit për gazin. Meqë ky gazsjellës është i pavlefshëm nëse nuk e lidhim me interkonektorin drejt veriut, drejt Serbisë, kemi nisur gazsjellësin drejt Serbisë, me të cilin lidhim portin e LNG-së në Aleksandrupoli me Evropën Qendrore. Këtë projekt e nisëm para disa javësh dhe presim që interkonektori i gazit drejt jugut të fillojë të funksionojë më së voni deri në fund të tremujorit të katërt të vitit 2027, ndërsa interkonektori verior do të fillojë të funksionojë në fund të vitit 2028. Kjo do ta përmirësojë pozitën tonë strategjike dhe do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve të vendit tim. Ky gazsjellës është pjesë e Korridorit 10, ndërsa duke pasur parasysh pozitën tonë strategjike gjeografike në zemër të Ballkanit, do të doja të përmend edhe Korridorin 8. Të dy korridoret praktikisht kryqëzohen disa kilometra në verilindje të kryeqytetit tonë. Të dy interkonektorët janë shumë të rëndësishëm. Korridori 10 lidh Detin Egje dhe Detin Mesdhe me vendet e Evropës Qendrore, ndërsa Korridori 8 lidh Detin Jon dhe Detin Adriatik me vendet e Detit të Zi. Praktikisht, të dy korridoret janë shumë të rëndësishëm për krahun lindor të NATO-s. Ne jemi anëtare krenare e NATO-s. Nuk kemi dalje në det, që është një lloj mangësie, por me këto dy korridore jemi kryqëzim i këtyre dy drejtimeve natyrore, gjë që, mendoj, na bën një anëtare shumë të rëndësishme të NATO-s. Kompanitë maqedonase dhe greke janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe në vitet që vijnë ambicia jonë është ta thellojmë këtë lidhje”, deklaroi kryeministri. Në fjalimin e tij në Samitin “Concordia” në Nju Jork, ku morën pjesë një sërë liderësh dhe sipërmarrësish amerikanë dhe botërorë, kryeministri Mickoski foli edhe për rezultatet pozitive ekonomike, të arritura pavarësisht krizave të shumta në Evropë dhe Lindjen e Mesme. “Ekonomikisht, mendoj se jemi në gjendje të mirë. Të dhënat e fundit për tremujorin e dytë të vitit 2026 tregojnë se rritja jonë reale ishte 4,3 për qind – nominalisht mbi 8 për qind, gjë që na rendit ndër tri vendet e para në Evropë sa i përket rritjes vjetore. Që kur u zgjodhëm në qershor të vitit 2024, prioriteti ynë më i lartë ishte t’i ringjallnim institucionet dhe praktikisht të siguronim stabilizim makroekonomik dhe fiskal. Sa i përket inflacionit, edhe të dhënat më të fundit janë mjaft bindëse. Në gusht, inflacioni vjetor ishte më i ulët se mesatarja evropiane. Praktikisht, po e mbajmë inflacionin mes 2 dhe 2,5 për qind, gjë që na bën vendin më të mirë në rajon dhe ndër më të mirët në Evropë. Sigurisht që kemi sfida me furnizimin me derivate të naftës, por portofoli ynë është i mirë”, deklaroi Mickoski, i cili vlerësoi se jeta është përmirësuar gjatë tre viteve të fundit sa është në pushtet dhe se do të përmirësohet edhe në vitet e ardhshme.



Të ndryshme
Më shumë