Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdon procedura dëshmuese për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku të akuzuar janë tetë persona, mes tyre ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami.
Në këtë fazë pritet të paraqiten provat materiale të Prokurorisë, e cila ka propozuar gjithsej 231 prova, ekspertiza dhe dëgjimin e shtatë dëshmitarëve.
Bajrami, i cili më 9 shtator u dorëzua vetë në pikën kufitare “Bllacë”, në seancën e 18 shtatorit deklaroi se nuk ndihet fajtor për akuzat.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit gjatë viteve 2023 dhe 2024 kanë tejkaluar autorizimet zyrtare lidhur me organizimin e lojërave elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie.
Prokuroria fillimisht i ngarkonte me “përvetësim në shërbim”, por me propozim-akuzën vepra është rikualifikuar në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”. Sipas ekspertizës së re, dëmi i pretenduar është rreth 9.7 milionë euro.
Procesi zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar dhe drejtohet nga gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska.