TV LIVE
Nga Vendi
24 September 2026
“JO NË EMRIN TIM”: TË DIELËN SHKUPI PROTESTON KUNDËR VENDIMIT TË SPECIALES

Përveç Prishtinës, nën moton “Jo në emrin tim”, protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale, e cila me 81 vite burgim dënoi ish-krerët e UÇK-së, janë paralajmëruar edhe në Shkup.

Fexhri Asipi nga Këshilli Organizativ i protestës ka njoftuar se marshi protestues do të mbahet të dielën, nga ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu”.

Sipas organizatorëve, marshi nuk ka karakter partiak dhe synon të bashkojë përfaqësues të të gjitha subjekteve politike shqiptare.

“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike shqiptare, pa dallim, që t’i bashkohen marshit. Kjo nuk është çështje e një partie apo grupimi politik, por një çështje që prek një pjesë të rëndësishme të historisë sonë të përbashkët. Ftojmë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, Bashkësinë Fetare Islame, studentët, profesorët, akademikët, intelektualët, artistët, veprimtarët, shoqërinë civile dhe të gjithë qytetarët liridashës që dëshirojnë ta shprehin qëndrimin e tyre në mënyrë paqësore.”

Organizatorët thonë se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe qytetare, duke kërkuar nga pjesëmarrësit respektimin e rendit dhe qetësisë publike.

“Marshi ynë do të jetë paqësor, qytetar dhe dinjitoz. Kërkojmë nga çdo pjesëmarrës të kontribuojë që ai të zhvillohet me qetësi, maturi dhe respekt për rendin publik. Të dielën, më 27 shtator, në ora 14:00, takohemi në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Shkup. Me respekt, Këshilli Organizativ i Marshit Protestues.”

Marshi i paralajmëruar në Shkup është i pari që organizohet pas vendimit të Hagës, me të cilin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite.

Ky vendim ka nxitur protesta në Prishtinë, ku për të dytën javë radhazi janë organizuar tubime në kundërshtim me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.



Të ndryshme
Më shumë