Për vite me radhë, dy 62-vjeçarë nga Radovishi dyshohet se prodhonin dhe shisnin akull në kushte të improvizuara dhe johigjienike. Policia ka kontrolluar katër lokacione që i përdornin personat dhe aty ka gjetur makina për prodhimin e akullit, frigoriferë dhe qindra qese me akull të gatshëm për shitje. Në total, rreth 850 kilogramë akull janë sekuestruar. Por problemi kryesor u zbulua pas analizave laboratorike. Mostrat e akullit dhe të pajisjeve për prodhim nuk i plotësonin kushtet e kërkuara. Në to është konfirmuar prania e Escherichia coli dhe baktereve koliforme, që sipas autoriteteve tregon kontaminim me baktere me origjinë fekale, njofton Portalb.mk.
“Nga analizat mikrobiologjike dhe kimike u konstatua se vetëm uji i përdorur si lëndë e parë përputhej me parametrat e kërkuar. Të gjitha mostrat e tjera nuk përputheshin me parametrat e kërkuar dhe në to u konfirmua prania e bakterieve Escherichia coli dhe bakterieve koliforme. Me këtë u konstatua se akulli ishte i pasigurt për përdorim dhe i dëmshëm për shëndetin e njerëzve për shkak të kontaminimit me baktere me origjinë fekale”, informoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga MPB-ja thonë se hetimi zbuloi edhe një tjetër parregullsi – uji që përdorej për prodhimin e akullit në hapësirat e bodrumit nuk matej përmes ujëmatësit. Autoritetet dyshojnë se uji sigurohej përmes një lidhjeje të paligjshme me rrjetin e ujësjellësit. T.D. 62 vjeç dhe S.D. 62 vjeç, të dy nga Radovishi, janë arrestuar dhe janë mbajtur në Stacionin Policor në Radovish. Ndërkohë, gjatë bastisjeve është gjetur edhe një pushkë ajrore pa dokumentacion përkatës, ndërsa për objektin ku është gjetur ajo është konstatuar se ishte ndërtuar pa leje. Për rastin, ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal për prodhim dhe vënie në qarkullim të produkteve të dëmshme ushqimore.