Google po përgatitet të testojë një ide që deri pak kohë më parë do të dukej si fantashkencë: zhvendosjen e fuqisë së madhe kompjuterike të nevojshme për Inteligjencën Artificiale në hapësirë. Përmes Project Suncatcher, kompania po studion nëse në të ardhmen mund të ndërtohet një infrastrukturë e shkallëzueshme për AI në orbitën e ulët të Tokës. Hapi i parë është testimi në hapësirë i çipave Tensor Processing Units (TPU) të Google.
Ideja mbështetet në një avantazh të rëndësishëm: satelitët në orbitën e ulët mund të kenë akses pothuajse të vazhdueshëm në dritën e diellit dhe potencialisht të gjenerojnë deri në tetë herë më shumë energji diellore sesa sistemet në Tokë. Në një skenar afatgjatë, Google parashikon grupe satelitësh të lidhur mes tyre, të aftë për të përpunuar ngarkesa gjithnjë e më të mëdha të Inteligjencës Artificiale direkt në orbitë.
A mund t’i mbijetojnë çipat AI hapësirës?
Ky është testi i parë i madh. Gjatë nisjes së një rakete, pajisjet përballen me dridhje ekstreme dhe përshpejtime që mund të arrijnë deri në 10 herë forcën e gravitetit, ndërsa komponentë individualë mund të ekspozohen ndaj forcave prej 50–100 g. Google thotë se testet e dridhjeve kanë treguar se pajisjet i kanë përballuar këto kushte. Sfida tjetër është rrezatimi. Ekipi testoi çipat Trillium TPU me rreze protonesh ndërsa ata kryenin procese AI. Rezultatet fillestare tregojnë se çipat mund të përballojnë një dozë totale rrezatimi më të lartë se ajo që pritet gjatë një misioni pesëvjeçar në hapësirë. Por prova reale do të jetë në orbitë.
Çipat e AI prodhojnë sasi të konsiderueshme nxehtësie. Në Tokë, sistemet e ftohjes mund të përdorin ajrin, por në vakumin e hapësirës kjo nuk është e mundur. Google po eksperimenton me kombinime të heat pipes dhe radiatorëve, të testuara deri tani në dhoma termike me vakum që simulojnë kushtet e hapësirës. Ftohja mbetet një nga problemet kryesore që duhet zgjidhur nëse koncepti do të zhvillohet nga disa çipa eksperimentalë në infrastrukturë të madhe kompjuterike.
Satelitët do të komunikojnë me lazer
Ambicia afatgjatë është që çdo satelit të mbajë dhjetëra TPU dhe të punojë së bashku me satelitët e tjerë si pjesë e një sistemi të vetëm. Për të transferuar sasitë e mëdha të të dhënave që kërkon AI, Google planifikon të përdorë komunikim me lazer mes satelitëve. Sfida është precizioni. Kompania e krahason atë me goditjen e një objektivi me madhësinë e një monedhe nga kilometra larg, ndërkohë që të dyja pikat janë në lëvizje. Një test me dy satelitë në orbitë është planifikuar për vitin 2027.
Nga data centers në Tokë, te AI në orbitë?
Project Suncatcher është ende një projekt kërkimor dhe Google nuk pretendon se data centers në hapësirë janë gati për përdorim komercial. Testet e para synojnë të kuptojnë diçka shumë më bazike: a mund të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme hardware-i i AI në kushtet ekstreme të hapësirës? Nëse përgjigjja rezulton pozitive, ideja hap një perspektivë krejt të re për infrastrukturën që do të nevojitet për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. Pas garës për çipa, energji dhe data centers në Tokë, fronti i ardhshëm i fuqisë kompjuterike të AI mund të jetë hapësira.