Forcat amerikane pritet të largohen nga bazat e tyre të fundit në Irak deri të mërkurën, duke i dhënë fund pranisë ushtarake amerikane në vend pas më shumë se dy dekadash.
Tërheqja është pjesë e një marrëveshjeje të arritur në vitin 2024 dhe po zbatohet nga administrata e Donald Trump. Largimi i trupave amerikane po cilësohet si një fitore nga Irani dhe grupet irakiane të armatosura që mbështeten prej tij.
Ekspertë irakianë të sigurisë paralajmërojnë se përfundimi i pranisë ushtarake amerikane mund të rrisë hapësirën e veprimit të Teheranit dhe aleatëve të tij në Irak. Një tjetër shqetësim lidhet me mundësinë që të krijohet një boshllëk sigurie që mund të shfrytëzohet nga grupe të armatosura, përfshirë Shtetin Islamik.
Irani e ka mirëpritur tërheqjen amerikane. Përfaqësues të Teheranit e kanë përshkruar largimin e trupave si një fitore për të ashtuquajturin “bosht të rezistencës”, që përfshin grupet e armatosura aleate të Iranit në rajon.
Ndërkohë, jo të gjithë në Irak e shohin largimin si një zhvillim pa rrezik. Disa zyrtarë dhe ekspertë të sigurisë shprehen se vendi nuk është ende plotësisht i përgatitur për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e sigurisë pa mbështetjen amerikane.
SHBA pushtoi Irakun në vitin 2003, duke rrëzuar regjimin e Saddam Husseinit. Forcat amerikane u tërhoqën në fund të vitit 2011, por u rikthyen në vitin 2014 për të ndihmuar në luftën kundër Shtetit Islamik.
Gjatë këtyre viteve, Iraku është kthyer në një pikë përplasjeje mes interesave të SHBA-së dhe Iranit. Në vitin 2020, SHBA vrau në një sulm në aeroportin e Bagdadit komandantin e lartë iranian Qassem Soleimanin, ndërsa grupet e mbështetura nga Irani kanë kryer në periudha të ndryshme sulme ndaj bazave amerikane në Irak.
Me largimin e forcave amerikane, autoritetet irakiane përballen me sfidën e ruajtjes së sigurisë dhe parandalimit të krijimit të boshllëqeve që mund të shfrytëzohen nga grupet e armatosura. Zyrtarë të sigurisë kanë raportuar ndërkohë lëvizje të qelizave të Shtetit Islamik, duke ngritur shqetësime për mundësinë e një rikthimi të aktivitetit të grupit.