TV LIVE
Teknologji
30 September 2026
Ky shtet amerikan po zëvendëson centralet elektrike me bateri shtëpiake

Shteti i Vermontit në SHBA po teston një model të ri të furnizimit me energji: mijëra bateri të vendosura në shtëpi po lidhen në një rrjet të përbashkët, duke krijuar një “central virtual” që ndihmon në furnizimin e rrjetit dhe mbrojtjen e familjeve gjatë ndërprerjeve.

Në vend që të mbështetet vetëm te centralet tradicionale, kompania kryesore e energjisë në Vermont, Green Mountain Power (GMP), ka ndërtuar një sistem ku bateritë e mijëra familjeve mund të përdoren si një burim i përbashkët energjie.

Mbi 5,500 familje në Vermont kanë tashmë sisteme të tilla. Përmes një programi të GMP-së, klientët mund të marrin dy bateri shtëpiake me një pagesë mujore prej rreth 55 dollarësh, për një kontratë 10-vjeçare.

Sistemi njihet si central virtual i energjisë (Virtual Power Plant – VPP). Ai bashkon mijëra pajisje të shpërndara nëpër shtëpi dhe biznese – bateri, panele diellore, automjete elektrike dhe pajisje që mund të ulin përkohësisht konsumin.

Nëpërmjet softuerit, këto burime koordinohen si një njësi e vetme. Kur rrjeti ka nevojë për energji, bateritë mund të furnizojnë energji; kur kërkesa bie, ato mund të karikohen.

Ndryshe nga një central tradicional, një central virtual nuk prodhon domosdoshmërisht energji. Ai menaxhon dhe shpërndan në mënyrë më inteligjente energjinë që tashmë është në dispozicion.

Për shumë familje, motivi kryesor nuk është vetëm kursimi apo mbrojtja e mjedisit, por siguria gjatë ndërprerjeve të energjisë. Sistemi mund të vazhdojnë të furnizojnë shtëpitë edhe kur rrjeti elektrik pëson dëmtime

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Vermontin, ku stuhitë, përmbytjet dhe temperaturat e ulëta shkaktojnë ndërprerje të energjisë.

/rtsh.al/



Të ndryshme
Më shumë