Thirrjet për të mos u mbyllur drejtimi i makinerisë në gjuhën shqipe në SHMK “Drita” të Kërçovës duket se kanë marrë përgjigje. Shkolla njofton se janë rikthyer dy paralele në gjuhën shqipe – Gjimnazi i përgjithshëm dhe drejtimi profesional i makinerisë.
Pas një angazhimi të gjatë, në SHMK “Drita” në Kërçovë është bërë e mundur rikthimi i dy paraleleve në gjuhën shqipe, një zhvillim që shkolla e konsideron të rëndësishëm për nxënësit dhe për ruajtjen e mundësive të barabarta në arsim.
Për rrezikun e mbylljes së drejtimit të makinerisë, TV Uskana kishte ngritur shqetësimin publik me kohë, duke trajtuar pasojat që mund të sillte mbyllja e këtij drejtimi për arsimin profesional në gjuhën shqipe në Kërçovë.
Në materialet e TV Uskanës së bashku me prof. Ismet Fejza, i cili për vite të tëra ka dhënë mësim në drejtimin e makinerisë. Ai kishte bërë thirrje që ky drejtim të mos mbyllej, duke theksuar rëndësinë e tij për nxënësit dhe nevojën që të ruhet mundësia e shkollimit profesional në gjuhën shqipe.
Sot, pas këtyre shqetësimeve dhe angazhimeve, shkolla njofton se drejtimi i makinerisë rikthehet, së bashku me paralelen e Gjimnazit të përgjithshëm në gjuhën shqipe.
Nga SHMK “Drita” kanë shprehur mirënjohje për kryetarin e Komunës së Kërçovës, Dr. Aleksandar Jovanovski, për mbështetjen dhe rolin e tij në realizimin e këtij synimi.
Rikthimi i dy paraleleve përbën një zhvillim të rëndësishëm për arsimin shqip në Kërçovë, ndërsa rasti i drejtimit të makinerisë tregon edhe një herë rëndësinë e ngritjes në kohë të çështjeve që prekin drejtpërdrejt të ardhmen arsimore të nxënësve.