TV LIVE
Nga Rajoni
20 October 2026
Ryshfet në kufirin Kosovë-Shqipëri, 23 policë përballen me akuza në gjykatë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore ndaj 23 zyrtarëve policorë, përfshirë Ahmet Kasumajn, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti gjatë shërbimit në pikën kufitare Qafë Morinë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, nga gushti i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, të akuzuarit dyshohet se kanë marrë para nga qytetarë të Kosovës dhe Shqipërisë, në këmbim të lejimit të hyrjes në territorin e Kosovës, pa verifikuar nëse ata i plotësonin kushtet e kërkuara për kalim kufitar.

Prokuroria pretendon se veprimet e tyre kanë qenë në kundërshtim me rregullat për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, si dhe me masat e vendosura nga qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-it 19.

Të gjithë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale të marrjes së ryshfetit, individualisht ose në bashkëkryerje. Ndërkaq, Ahmet Kasumaj, Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku akuzohen edhe për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në mesin e provave të përfshira në aktakuzë janë video-incizimet dhe komunikimet, të cilat sipas Prokurorisë mbështesin pretendimet për veprimtarinë e kundërligjshme.

Të gjithë të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Të ndryshme
Më shumë