Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj muzikore. Kënga e saj “New Religion” është renditur në vendin e 35-të në listën e 50 këngëve më të dëgjuara të vitit në Spotify nga artistet femra.
E lumtur për këtë arritje, Rexha ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetin social X (ish-Twitter) një statistikë të platformës për këngët më të dëgjuara të publikuara nga artistet femra, duke shprehur krenarinë që kënga e saj gjendet mes projekteve të disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore.
“Fakti që ‘New Religion’ renditet në vendin e 35-të në listën Top 50 të Spotify-t është vërtet i jashtëzakonshëm. Shtëpitë e mëdha diskografike kanë shumë lidhje të konsoliduara, burime, marrëdhënie dhe ndikim që artistët e pavarur nuk i kanë gjithmonë në dispozicion. Prandaj, ta shoh këngën time në këtë listë, përkrah disa prej artistëve më të mëdhenj në botë, do të thotë shumë për mua.
Jam krenare që vendosa t’i besoja vetes dhe akoma më krenare për atë që po ndërtojmë. Faleminderit që jeni pjesë e këtij rrugëtimi. Nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por ka qenë një rrugëtim i bukur”, ka shkruar këngëtarja.
Kjo arritje merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se Bebe Rexha është artistja e vetme e pavarur në këtë listë. Këngëtarja ka shkëputur bashkëpunimin me ish-shtëpinë e saj diskografike, Warner Records, dhe tashmë po e menaxhon në mënyrë të pavarur karrierën e saj muzikore.
Përmes këtij vendimi, Rexha ka zgjedhur të ndjekë rrugën e saj artistike jashtë strukturave tradicionale të kompanive të mëdha diskografike, duke dëshmuar se edhe një artiste e pavarur mund të konkurrojë me emrat më të njohur të industrisë muzikore.
Ky sukses vjen pas një rikthimi të fuqishëm të këngëtares gjatë këtij viti me albumin “Dirty Blonde”, pjesë e të cilit është edhe “New Religion”, kënga që po vazhdon të fitojë vëmendjen e publikut në platformat digjitale.
Me këtë rezultat, Bebe Rexha po dëshmon se besimi në vizionin e saj artistik dhe pavarësia profesionale mund të shndërrohen në një formulë suksesi edhe në një industri ku kompanitë e mëdha kanë ndikim të konsiderueshëm.