Nën moton “Oda jonë – një copë vendlindjeje në Zvicër”, më 31 tetor 2026, nga ora 20:00, në Rümlang të Zvicrës do të hapet solemnisht Oda Folklorike Shqiptare – Zvicër. Kjo nismë synon të krijojë një hapësirë ku shqiptarët, larg atdheut, të gjejnë ngrohtësinë e vendlindjes përmes këngës, çiftelisë, sharkisë, melodive tradicionale dhe mikpritjes shqiptare.
Hapja e Odës Folklorike Shqiptare – Zvicër nuk është vetëm një ngjarje kulturore, por edhe një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së traditave tona, forcimit të bashkëpunimit dhe afrimit të njerëzve që i bashkojnë vlerat, kultura dhe identiteti ynë kombëtar. (Pak këngë nga oda)
Siç informojnë për TV USKANA nga Oda Folklorike Shqiptare – Zvicër, qëllimi i tyre është që tradita jonë të jetë më e fortë kur e ndajmë me njëri-tjetrin, kur hapim dyert për bashkëpunim dhe kur i japim përparësi vlerave të përbashkëta. Prandaj, oda nuk duhet të jetë vend ndarjesh, por hapësirë takimi; jo vend i interesave personale, por një vatër ku kultivohen miqësia, respekti, mirëkuptimi dhe dashuria për trashëgiminë shqiptare.
Me këtë frymë, Oda Folklorike Shqiptare – Zvicër mirëpret të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, miqtë, dashamirët dhe bashkëpunëtorët që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë rrugëtim kulturor.