TV LIVE
Nga Bota
9 November 2026
E rëndë në Kretë/ Përmbytet varka me emigrantë, 20 viktima dhe 2 të zhdukur, autoritetet shpëtojnë 133 të tjerë

Të paktën 20 emigrantë kanë humbur jetën dhe 133 të tjerë janë shpëtuar në katër operacione të ndryshme në det, në jug të ishullit grek të Kretës në këtë fundjavë.

Dy persona të tjerë rezultojnë të zhdukur, ndërsa autoritetet greke po hetojnë rrethanat e tragjedisë.

Ngjarja e parë u regjistrua të premten në mbrëmje, pranë portit Kali Limenes, ku një rimorkiator shpëtoi 28 emigrantë nga Sudani dhe nxori trupin e pajetë të një burri.

Për shkak të erërave të forta, që arrinin deri në 7 ballë, operacioni u ndërpre. Varka u gjet përsëri mëngjesin e sotëm, me shtatë trupa të tjerë të pajetë në bord.

Tragjedia mori përmasa edhe më të mëdha kur në një varkë tjetër, rreth 28 kilometra larg bregdetit, u zbuluan 12 emigrantë të vdekur. Nga e njëjta varkë u shpëtuan 18 persona.

Ndërkohë, në dy operacione të tjera, forcat e Frontex-it shpëtuan edhe 87 emigrantë, të cilët udhëtonin me dy varka në jug të Kretës. Sipas dëshmive të të mbijetuarve nga varka e parë, ata ishin nisur nga brigjet e Libisë në 3 ose 4 nëntor. Secili kishte paguar nga 12 mijë deri në 16 mijë dinarë libianë për të mbërritur në Greqi.

Policia portuale greke ka arrestuar dy shtetas sudanezë, 28 dhe 16 vjeç, të dyshuar si trafikantë. Ata janë identifikuar nga emigrantët e shpëtuar dhe akuzohen, ndër të tjera, për lehtësimin e hyrjes së paligjshme dhe ekspozimin e personave ndaj rrezikut me pasojë vdekjen.

Muajt e fundit rruga detare nga Libia drejt Kretës është kthyer në një nga korridoret kryesore të emigracionit drejt Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të raportuara në fillim të nëntorit, mbi 23 mijë emigrantë kishin mbërritur gjatë këtij viti në Kretë dhe ishujt përreth.



Të ndryshme
Më shumë