TV LIVE
Nga Bota
18 November 2026
Protestë në Francë, mbi 140 mijë protestues kundër kostos së lartë të jetesës dhe pagave të ulëta

Mbi 140 mijë persona dolën dje në rrugët e qyteteve franceze të martën, në një ditë protestash dhe grevash mbarëkombëtare, duke kërkuar rritje të pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe masa për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.

Në protesta morën pjesë punonjës të sektorit publik, mësues, personel shëndetësor, punonjës të sektorit privat, si dhe nxënës të shkollave të mesme dhe studentë universitarë.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Francës, në demonstrata në të gjithë vendin, morën pjesë rreth 146 mijë persona, përfshirë 28 mijë në Paris.

Ndërkohë, Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT), një nga sindikatat kryesore franceze, pretendoi se numri i pjesëmarrësve ishte mbi 500 mijë në shkallë kombëtare dhe 175 mijë në kryeqytet.

Pjesëmarrja ishte dukshëm më e ulët krahasuar me protestën e mëparshme të bashkuar të 5 nëntorit, kur Ministria e Brendshme raportoi 575 mijë demonstrues në të gjithë Francën, përfshirë 65 mijë në Paris.

Protestat u organizuan pas dështimit të bisedimeve mes përfaqësuesve të sindikatave dhe kryeministrit Sébastien Lecornu, të premten e kaluar.

Sindikatat kërkojnë rritje të përgjithshme të pagave për punonjësit e sektorit publik, duke argumentuar se të ardhurat e tyre nuk kanë ecur në të njëjtin ritëm me rritjen e çmimeve.

Franca ka rreth 5,8 milionë punonjës në sektorin publik. Sindikatat kundërshtojnë projektbuxhetin e qeverisë, i cili nuk parashikon rritje të përgjithshme të pagave për të katërtin vit radhazi. Sipas tyre, fuqia blerëse e punonjësve publikë është ulur me rreth 16% që nga viti 2017.

Pakënaqësia është shtuar edhe pas rritjes së pagës minimale për punonjësit e sektorit privat, të cilën sindikatat e konsiderojnë të pamjaftueshme përballë shtrenjtimit të jetesës. Ato kërkojnë që qeveria të hapë negociata për rritjen e pagave në të gjithë sektorët dhe të shtojë fondet për shërbimet publike, veçanërisht arsimin dhe shëndetësinë.

Në Paris, protestuesit u mblodhën në sheshin Place de la Nation dhe marshuan drejt Place d’Italie, duke kërkuar paga më të larta dhe më shumë investime në shkolla e spitale. Në demonstrata u dëgjuan gjithashtu thirrje për përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore dhe zgjidhjen e mungesës së personelit.

Edhe studentët iu bashkuan protestave në shenjë solidariteti me punonjësit dhe nxënësit, duke kërkuar më shumë mundësi për arsimim universitar dhe përmirësimin e kushteve në universitete.

Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve, pjesëmarrja në grevë ishte relativisht e ulët. Në institucionet e administratës qendrore morën pjesë rreth 2,59% e punonjësve, ndërsa në spitalet publike kjo shifër ishte 3,93% dhe në administratat vendore 1,96%.

Megjithëse protestat e djeshme u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore, tensionet sociale në Francë mbeten të larta.

Lëvizja e protestave, e nisur në shtator nga nxënësit që kërkonin kushte më të mira në shkolla, është zgjeruar gradualisht duke përfshirë kërkesat për paga më të larta, uljen e kostos së jetesës, çmime më të përballueshme të karburanteve dhe më shumë mbështetje për shërbimet publike.

Sindikatat kanë paralajmëruar vijimin e aksioneve në ditët në vijim. Ato kanë bërë thirrje për protesta të reja më 19 nëntor nga pensionistët, më 20 nëntor nga organizatat studentore dhe rinore dhe më 21 nëntor kundër rritjes së kostos së jetesës.

Lëvizja po zhvillohet gjithashtu në një klimë të tensionuar politike, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, ndërsa sindikatat kërkojnë që çështjet e pagave, fuqisë blerëse dhe cilësisë së shërbimeve publike të jenë në qendër të debatit politik.



Të ndryshme
Më shumë