Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka kritikuar opozitën, duke e akuzuar se që nga viti 2024 dëshiron që shteti të përballet me falimentim dhe kriza ekonomike.
Mickoski tha se, falë punës së Qeverisë, vendi ka kaluar nga fundi në krye të rajonit, ndërsa pretendoi se aktualisht renditet ndër ekonomitë më të suksesshme në Evropë, duke marrë parasysh pikënisjen ekonomike.
Ai bëri të ditur se realizimi i investimeve kapitale për këtë vit ka arritur në 70 për qind dhe paralajmëroi se Qeveria do të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe gjatë vitit të ardhshëm.
Megjithatë, kryeministri paralajmëroi për detyrimet financiare që e presin shtetin gjatë viteve 2027 dhe 2028. Sipas tij, për pagesën e interesave, rifinancimin e kredive të mëparshme dhe mbulimin e deficitit buxhetor, nevojiten rreth 5 miliardë euro gjatë dy viteve të ardhshme.
Ai akuzoi qeveritë e mëparshme se kanë ngarkuar me borxhe edhe gjeneratat e ardhshme.
„Praktikisht, i kanë ngarkuar me borxhe edhe brezat që ende nuk kanë lindur“, deklaroi Mickoski.
Në fund, ai kërkoi nga opozita që të përmbahet nga, siç i quajti, gënjeshtrat, duke theksuar se kjo do t'ia lehtësonte Qeverisë dhe qytetarëve përballjen me sfidat e përditshme ekonomike.