Gjashtë persona që ishin në bordin e një aeroplani të vogël që u rrëzua në brigjet e Misisipit janë gjetur të vdekur, tha Roja Bregdetare Amerikane, mes tyre dy fëmijë, të moshës 8 dhe 10 vjeç.
Cessna 210 ishte nisur nga New Orleans për në Fort Myers në Florida. Kontrollorët e trafikut ajror humbën kontaktin me aeroplanin rreth orës 3:45 pasdite sipas orës lokale.
Siç u njoftua nga autoritetet, aeroplani u rrëzua në Gjirin e Meksikës, midis qytetit të Pascagoula dhe ishullit Horn.
Sipas zëdhënësit të Rojës Bregdetare Amerikane, Juan Ross, zhytësit gjetën trupat e katër të rriturve dhe dy djemve brenda aeroplanit.
“Ndërsa ky nuk është rezultati që shpresonim, ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin efektiv midis agjencive, i cili na lejoi të gjenim shpejt personat që ndodheshin në aeroplan që t’u jepnim përgjigje familjeve të tyre”, tha Trevor Blount, koordinator i operacionit të shpëtimit të Rojës Bregdetare.