TV LIVE
Sport
28 November 2026
VERON DERVISHI, BLERINA ZENDELI DHE NUREDIN DERVISHI FITOJNË NGA NJË MEDALJE TË ARTË DHE SIGUROJNË PJESËMARRJEN NË KAMPIONATIN EVROPIAN NË ARMENI

TRE GARUES TË KLUBIT TË KARATESË “USKANA” SIGUROJNË PJESËMARRJEN NË KAMPIONATIN EVROPIAN NË ARMENI

Veron Dervishi, Blerina Zendeli dhe Nuredin Dervishi do ta përfaqësojnë shtetin në Kampionatin Evropian të Karatesë, që do të mbahet në shkurt të vitit 2027 në Erevan të Armenisë.

Garuesit e klubit të karatesë “Uskana” nga Kërçova kanë shënuar rezultate të shkëlqyera në Kampionatin Shtetëror të Karatesë për kadetë, juniorë dhe U-21, si dhe në garat Play-off, të mbajtura sot (28 nëntor 2026) në Shkup.

Në këtë kampionat morën pjesë garuesit më të mirë nga të gjitha klubet e vendit, ndërsa klubin “Uskana” e përfaqësuan Veron Dervishi, Blerina Zendeli dhe Nuredin Dervishi, nën drejtimin e trajnerit Prof. Nexhbi Dervishi.

Të tre garuesit konkurruan në disiplinën kata, në kategoritë përkatëse: Veron Dervishi në kategorinë e kadetëve, Blerina Zendeli në kategorinë e junioreve dhe Nuredin Dervishi në kategorinë U-21.

Rezultati ishte i jashtëzakonshëm: tre garues, tri medalje të arta!

Me paraqitjet e tyre bindëse dhe vendet e para të fituara, të tre sportistët siguruan plasmanin për në Kampionatin Evropian të Karatesë, ku do ta përfaqësojnë shtetin në garat që do të mbahen në shkurt të vitit 2027 në Erevan të Armenisë.

Suksesi i klubit “Uskana” plotësohet edhe me përzgjedhjen e trajneres Jetmira Dervishi, e cila në këtë kampionat ishte e deleguar në rolin e referes. Ajo është përzgjedhur të referojë edhe në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.

Nga klubi i karatesë “Uskana” u përcollën urimet për tre garuesit, me dëshirën që nga Armenia të kthehen me medalje evropiane, ndërsa trajneres Jetmira Dervishi i uruan gjykim të drejtë dhe profesional.

Suksesi i tre sportistëve është një tjetër rezultat i rëndësishëm për klubin e karatesë “Uskana” dhe sportin e Kërçovës.



Të ndryshme
Më shumë